Të nderuar qytetarë dhe biznese të komunave të Prizrenit, Suharekës, Malishevës dhe Rahovecit,
Kompania Rajonale e Mbeturinave KRM “Ekoregjioni” ju njofton se nesër, më 15.10.2026, do të pezullohen shërbimet e grumbullimit dhe transportimit të mbeturinave, si në zonat urbane, ashtu edhe në fshatrat e komunave përkatëse, deri në një njoftim tjetër.
Ky vendim vjen si pasojë e pamundësisë për të deponuar mbeturinat në deponinë e KMDK-së në Landovicë, pasi kjo e fundit nuk po lejon hyrjen e automjeteve tona për shkak të obligimeve financiare të papërmbushura.
Dëshirojmë të sqarojmë se kjo situatë është krijuar si pasojë e mosshlyerjes së obligimeve financiare nga komunat përkatëse ndaj KRM “Ekoregjioni”, gjë që ka ndikuar drejtpërdrejt në pamundësinë e kompanisë sonë për t’i përmbushur obligimet ndaj KMDK-së.
Për këtë arsye, u bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve dhe bizneseve që të mos i nxjerrin mbeturinat jashtë objekteve, shtëpive apo lokaleve të tyre, deri në rifillimin e shërbimeve, pasi aktualisht nuk kemi mundësi t’i grumbullojmë dhe t’i transportojmë ato.
Jemi të vetëdijshëm për vështirësitë që kjo situatë mund të shkaktojë dhe ju kërkojmë ndjesë për shqetësimet e krijuara.
Ju falënderojmë për mirëkuptimin, durimin dhe bashkëpunimin tuaj!
Për çdo zhvillim të ri dhe për rifillimin e shërbimeve, do t’ju njoftojmë me kohë përmes kanaleve tona zyrtare.
Me respekt,
Menaxhmenti i KRM “Ekoregjioni” Sh.A. Prizren

