Rr. Tahir Sinani 20000 Prizren, Kosovë

Kanë nisur hapat e parë të pilot-projektit për digjitalizimin e menaxhimit të mbeturinave në KRM “Ekoregjioni” Sh.A.

KRM “Ekoregjioni” Sh.A. ka nisur zyrtarisht hapat e parë të pilot-projektit për digjitalizimin e menaxhimit të mbeturinave, duke mirëpritur për dy ditë ekspertët e ELTE…

KRM “Ekoregjioni” Sh.A. ka nisur zyrtarisht hapat e parë të pilot-projektit për digjitalizimin e menaxhimit të mbeturinave, duke mirëpritur për dy ditë ekspertët e ELTE Group, kompani e specializuar në zhvillimin e zgjidhjeve inteligjente për monitorimin e flotës dhe menaxhimin modern të mbeturinave.

Gjatë kësaj vizite u realizuan aktivitetet e para të projektit, të cilat përfshinë instalimin dhe konfigurimin e pajisjeve GPS dhe sensorëve në automjetet e përzgjedhura për pilotim, testimin e funksionimit të sistemit të monitorimit në kohë reale, si dhe instalimin e RFID transponderëve në kontejnerët e përzgjedhur për identifikimin dhe gjurmimin e tyre përmes platformës digjitale.

Po ashtu, u bë konfigurimi i platformës softuerike dhe u zhvillua trajnim praktik për stafin e KRM “Ekoregjioni” Sh.A., me fokus përdorimin e platformës, aplikacionit mobil dhe funksionaliteteve kryesore të sistemit, duke siguruar gatishmërinë për fazën e implementimit në terren.

Në fazën e ardhshme, pilot-projekti do të vazhdojë me monitorimin e funksionimit të sistemit në kushte reale të punës, mbledhjen dhe analizimin e të dhënave operative, si dhe vlerësimin e performancës së teknologjive të implementuara. Rezultatet e këtij pilotimi do të shërbejnë si bazë për zhvillimin e mëtejshëm të proceseve të digjitalizimit dhe përmirësimin e menaxhimit të mbeturinave në KRM “Ekoregjioni” Sh.A.

KRM “Ekoregjioni” Sh.A. mbetet e përkushtuar në investimin dhe aplikimin e teknologjive moderne, me synim rritjen e efikasitetit operacional, optimizimin e proceseve të punës dhe ofrimin e shërbimeve gjithnjë e më cilësore për qytetarët.